Friday , May 23 2025

Si nëpër filma/ I riu nuk pyet as për autoritetet! Përplas disa makina policie, rrezikon edhe qytetarët

Skena që ngjanin me një film aksion janë regjistruar sot në mes të Tiranës, ku një i ri u përfshi në një ndjekje spektakolare me policinë, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe dëmtuar disa automjete.

Ngjarja nisi në zonën e Medresesë, ku i riu, që udhëtonte me një mjet tip “Land Rover”, refuzoi të ndalonte në një postbllok policor. Në përpjekje për të shmangur ndalimin, ai përplasi makinën e policisë si dhe disa automjete të tjera, duke krijuar panik të madh në rrugët e qytetit.

Forcat e rendit u vunë menjëherë në ndjekje, ndërsa qytetarë të shumtë u bënë dëshmitarë të skenave dramatike që ndodhën në mes të ditës, mes trafikut të rënduar dhe sirenave të policisë.

Pas një përpjekjeje të gjatë, uniformat blu arritën të neutralizojnë drejtuesin e mjetit dhe ta vendosin në pranga. Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e tij, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar motivet e këtij akti të rrezikshëm.