Si është gjendja e të prekurve me Covid-19 në Shqipëri: Pse shifrat s’janë alarmante

E ftuar në “Provokacija”, Zv.Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli foli për shifrat e larta ta rasteve pozitivë me Covid-19 dhe gjendjen e pacientëve që kanë nevojë aktualisht për ndihmë spitalore. Rakacolli tha se një situatë e tillë ishte e pritshme për ekspertët, me hapjen e vendit, por çfarë s’duhet neglizhuar janë masat e rekomanduara.

“E prisnim të kishim rritje të numrave sepse është normale sepse pas një mbyllje të tillë mekanike hapja do sillte rritje. Kjo ishte arsyeja pse kërkuam zgjatje të fatkeqësisë natyrore. Në fazën e parë patëm bashkëpunim me qytetarët. Çelësi i suksesit ishte se qytetarët ndoqën rekomandimet që ne dhamë. Ndërsa pas javës së parë filluan edhe grumbullimet dhe u largua frika se çdo gjë po shkon normalisht .

Rekomandimet që kanë qenë edhe nga shkencëtarët janë bërë nga eksperiencat e tjera. Ne kemi mësuar se ky është një virus ngjitës, rezistent, akoma nuk ka një mjekim specifik dhe mënyra më e mirë për t’u mbrojtur prej tij është pengesa mekanike, barriera, maska distanca. Sidomos në momentin e hapjes maskën duhet ta vendosin.

Virusi është i panjohur. Akoma nuk dihet asgjë me saktësi. Kjo ka të bëjë me burimet e informacionit sepse konkluzionet dalin më vonë dhe duhet diçka që të provojë idetë.”- u shpreh ajo.

Përsa i përket gjendjes së të prekurëve aktivë me koronavirus, zëvendës ministrja tha se 50% e pacientëve janë asimptomatikë, ndërsa të tjerët kanë simptoma të lehta. Relativisht, edhe gjendja e të shtruarëve që nuk janë në terapi intensive është e mirë.

“Pjesa e pacientëve që nuk janë në terapi intensive janë në gjendje relativisht të mirë. Kanë nevojë për kujdes spitalor. Numrat për momentin nuk janë dramatikë, janë të pritshëm dhe në varësi të këtyre indikatorëve dalim në përfundim se nuk janë shifra të rrezikshme. Një pjesë e njerëzve janë asimptomatikë.

Rreth 50% janë asimptomatikë. Një pjesë tjetër janë me simptoma të lehta. Ata persona që kanë pneumoni kanë nevojë për kujdes spitalor. Virusi nuk prek vetëm mushkëritë, por edhe trombozat që shfaqet edhe tek të rinjtë.”-përfundoi Rakacolli.

Pavarësisht se deri më tani Komitetit Teknik të Ekspertëve, bëri me dije se nuk do të ketë kthim pas, por duhet ndërgjegjësim dhe vigjilencë maksimale, Rama u shpreh sot se në rast se shifrat vijojnë me këtë ritëm, do të kemi një mbyllje të dytë.