“Si erdhe në jetën time? Dhe si u largove?”/ Arjan Miluka shkruan për bashkëshorten e tij, aktoren Shpresa Bërdëllima, në ditëlindjen e saj

O Zot, shpëtova disi! Por si të vazhdoja?

Me një qetësi të shtirur të tregova nja dy barcoleta që të pëlqenin! Fitova ca pikë që më dhanë guxim. Por tani çfarë të bëj? Sa doja të qëndroja më gjatë, por trembesha se mund të të humbisja. Jo, i thashë vetes, do të luaj indiferentin, dhe në moment të përshëndeta që të largohesha.

Një buzëqeshje e ngrohtë dhe e çiltër e zbukuroi portretin tënd engjëllor. Unë e di si kaluan tri ditë pa u parë, a thua se ishin tre vjet, kështu m’u dukën. Kur shoh, ti po vije si një flutur duke qeshur, dhe m’u duk sikur nuk po më drejtoheshe mua. Ktheva kokën për të parë mbrapa se kush mund të ishte pas meje. Askush! Ec e mos i beso mrekullitë!

-Hë, – më the pa të keq dhe duke qeshur, – po flet me veten? Apo je i zënë tani?

-Jam aq kot, sa nuk e di ç’të bëj, – munda të të thosha, megjithëse, të jem i sinqertë, më prisnin diku.

-Unë jam e lirë nja dy orë, – më the, – dhe mirë që të takova. Sigurisht, nëse je i lirë dhe nuk ke kundërshtim!

Abrakadabra, thashë me vete, si vjen jeta.

-A ke ndonjë barcoletë si atë ditë, – më pyete?

-Kam disa, ose sa të duash ti ,- të thashë gjithë tangërllik, që s’di nga më erdhi.

-A shkojmë te kafe Flora, – m’u duk se më ftove ti.

-Mrekulli, në këtë orë është qetë aty,- të thashë gjithë gëzim.

Shkuam, u kënaqëm, u lumturuam. E çuditshme, po si iku koha kaq shpejt?

Folëm me çiltërsi për shumë gjëra të njëri-tjetrit. U ndamë, dhe i premtuam vetes se do të shihemi së shpejti. Dhe më pas, të shiheshim çdo ditë, na u bë e domosdoshme! Të dy e kërkonim njëri-tjetrin pa zhurmë!

Kishim ndrojtje nga të tjerët. Si zakonisht, në këto raste, një pjesë e miqve tanë kujtonin se njiheshim prej kohësh. Isha i sigurt se do të fillonin intrigat e zakonshme.

Bisedat e takimet tona u bënë të shpeshta, të domosdoshme për të dy, por pa deklarata.

Një pasdite e lamë të shkonim te shtëpia e një shoqes tënde për vizitë.

U ngjitëm në katin e katërt, por për fatin tonë të mirë apo të keq, shoqja jote nuk ishte brenda.

U mërzitëm, e pak dhe si të tronditur paksa, ndoshta nga kjo e papritur, sikur kishim nevojë të uleshim e të mblidhnim veten.