Shuhet në moshën 88-vjeçare Otto Baric, ish-trajneri i kombëtares shqiptare. Kroati i njohur drejtoi kuqezinjtë në periudhën korrik 2006-nëntor 2007. Lajmi i trishtë është dhënë nga mediat kroate. Baric ishte infektuar me Covid-19 dhe nuk ia doli të fitonte dot betejën më virusin vꓒekjeprurës. Baric e kishte nisur karrierën si trajner te Lokomotiva Zagreb në vitin 1964, duke e drejtuar për tre vite dhe më pas kaloi në Gjermani në skuadra si Opel Russelsheim dhe Germania Wiesbaden, ndërkohë që më pas kaloi në Austri te Wacker Innsbruck në vitin 1970.
Dy sezone aty dhe Baric pranoi propozimin e LASK Linz, skuadër që e drejtoi për dy sezone. Njëkohësisht ai ishte trajneri i përfaqësueses së Jugosllavisë (amatorë), për 5 vite. Në Kroaci ai u kthye në vitin 1974, duke drejtuar NK Zagreb dhe më pas edhe Cibalia (Dinamo Vinkovci quhej asokohe). Sturm Graz, Rapid Vienna, VfB Stuttgart, Vorwarts Steyr, Casino Salzburg, Dinamo Zagreb dhe Fenerbahçe S.K janë klubet e tjera që Otto Baricc i ka drejtuar, ndërkohë që në periudhën 1995-96 ishte ndihmëstrajner te kombëtarja e Kroacisë.
Në vitin 1999 iu besua stoli i Austrisë, deri në vitin 2001, ndërsa një vit më pas mori kombëtaren e vendit të tij. Kjo ndodhi në periudhën 2002-2004, ndërsa në vitin 2006 për herë të fundit drejtoi kombëtaren e Shqipërisë. TROFETË – Gjithçka nisi në Austri, aty ku fitoi titullin kampion me Wacker Innsbruck në Austri. Kroati më pas fitoi edhe tre tituj të tjerë kur drejtonte Rapid Vienna, katër kupa të Austrisë, 3 Superkupa dhe shkoi në finalen e Kupës së Kupave.
Me Casino Salzburb (sot RB Salzburg) ai fitoi dy tituj kampionë, dy Superkupa dhe shkoi në finalen e Kupës UEFA në vitin 1994. Sigurisht nuk mungojnë edhe titulli kampion dhe Kupa në Kroaci, me Dinamo Zagreb (quhej Croatia Zagreb).