Shtëpitë individuale dhe apartamentet që do të kalojnë në pronësi të qytetarëve përfitues të programeve të rindërtimit, nuk mund të shiten apo të dhurohen. Në Fletoren Zyrtare u botua vendimi “Për përcaktimin e rregullave, të kategorive prioritare, masës së përfitimit, autoriteteve përgjegjëse dhe procedurave për vlerësimin dhe përzgjedhjen e përfituesve nga disa programe të procesit të rindërtimit”.
Vendimi parashikon se në kontrata noteriale e kalimit të pronësisë, pala e dytë që është përfituese e banesës duhet të plotësojë kushtet mos premtimit dhe mospërdorimit nga një palë e tretë. Po ashtu për aq kohë sa kjo marrëveshje do të jetë në fuqi, banesa nuk mund t’i shitet një pale të tretë.
Sakaq kontrata e kalimit të pronësisë duhet të shoqërohet me deklaratën noteriale të heqjes dorë, nga subjektet përfituese, nga çdo pretendim mbi të drejtat e pronësisë për banesën apo shtëpinë individuale të mëparshme.
Nëse qytetari që i kalon pronësia e shtëpisë të re nuk plotëson të gjitha kushtet e vendosura në legjislacionin në fuqi, atëherë kjo marrëveshje nuk do të ketë fuqi ligjore dhe shteti zhvishet nga të gjitha detyrimet e ngarkuara në këtë aktmarrëveshje.
Në vendim përcaktohet se shteti merr përsipër dhe garanton palën përfituese të shtëpisë të rindërtuar se përgjatë gjithë kohëzgjatjes që do të duhet për dorëzimin e pasurisë, sipas parimit “me çelësa në dorë”, do t’i sigurojë subvencionin e pagesës së qirasë deri në momentin që kësaj pale t’i kalojë e drejta e pronësisë së pasurisë. Kostot e shpenzimeve noteriale dhe regjistrimi i certifikatës të pasurisë në Agjencinë e Kadastrës do të paguhen nga shteti.