Shqiptarit i mbeti gruaja në Ukrainë, rrëfen ndarjen e dhimbshme në kufi

Romeo Vela arriti të largohej pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Në një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, Romeo tregoi se si arriti që të largohej nga qyteti Kharkiv drejt Rumanisë ku po qëndron te një mik i tij. Ai tregoi se ishin shpërthimet e bombave që i zgjuan nga gjumi, dhe arritën të largoheshin menjëherë drejt kufirit me Rumaninë.

“Jemi zgjuar nga shpërthimet e bombave. Morëm telefonatën nga kunati që të largohemi nga qyteti. Ishim pak me fat që u nisëm herët nga Kharkiv pasi po bëhej kaos në trafik. Të gjithë shikonin se ku mund të merrnin karburant, kishte njerëz në radhë në bankë, për të marrë ujë. Unë arrita të kaloja por vëllai i bashkëshortes nuk e lejuan. Kishte dokumentin që tregonte paaftësinë për të marrë pjesë në luftë por duhej rinovuar.”, tha Romeo.

Romeo tregoi se iu desh të kalonte në korsinë e kundërt pas radhës kilometrike të makinave drejt kufirit me Rumaninë. Ai thotë se gruaja dhe familja e saj nuk arritën të kalonin dhe mbetën në kufi. I vëllai i saj nuk u lejua pasi nuk kishte dokumentin që vërtetonte paaftësinë për të luftuar.

“Gruaja, kunati me nusen e vet dhe të ëmën po qëndrojnë afër kufirit në një familje që i ka strehuar. Nuk është aq e rrezikuar pjesa perëndimore e Ukrainës. Pas vdekjes së nënës time, ky ishte momenti më i vështirë i jetës time. Familjarët patën kërkuar që të largohesha që një muaj, nuk mund të ikja pa njerëzit e tjerë dhe kjo më bëri që të rrezikoja jetën.

Po pres gruan në Rumani. Isha me fat pasi u futëm në korsinë e krahut tjetër për të parakaluar një radhë makinash 4 kilometra që kishim para. Duhej 5-6 ditë që të kaloje, u futëm në korsinë e kundërt për të arritur te kufiri.“, tha ai.