Shqipëria përfshihet nga i ftohti polar/ Në aksin Elbasan-Qafë Thanë reshje të dendura dëbore

Në qarkun Elbasan, moti sot vijon të karakterizohet nga temperatura shumë të ulëta, duke arritur në zonat malore nën -10°C. Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë ka pasur reshje dëbore dhe temperaturat kanë rënë deri në -15°C; rruga është pastruar dhe trajtuar me kripë për të garantuar kalueshmërinë.

Ndërkohë, akset Elbasan-Gjinar dhe Elbasan-Tiranë (aks i vjetër nga Krraba) nuk kanë regjistruar prezencë dëbore, por po vazhdohet kriposja në pikat problematike për sigurinë e trafikut.

Sa i përket situatës hidrologjike, prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës kanë rënë dhe nuk paraqesin rrezik për banorët. Përveç kësaj, vijojnë shkarkimet nga HEC Banjë, që aktualisht arrijnë 290 m³/sek, ndërsa së bashku me prodhimin e energjisë arrijnë në 390 m³/sek. Autoritetet presin vendimin e ditës së sotme për vijueshmërinë e shkarkimeve.

Në furnizimin me energji elektrike, raportohet problematika në Fidrin, që furnizon Njësitë Administrative Tunje, Kushovë dhe Skënderbegas të Bashkisë Gramsh. Sipas komunikimeve zyrtare, defektet pritet të zgjidhen gjatë orëve në vijim.

Banorët këshillohen të qëndrojnë të informuar për njoftimet e ardhshme lidhur me motin dhe situatën në rrugë.