Ministria e Shëndetësisë konfirmon se gjatë 24 orëvë të fundit janë konstatuar 8 raste të reja duke e çuar numrin total të të prekurve nga koronavirusi në 475. Nga këto, 6 raste janë në Tiranë, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës. Zonat më të prekura deri më tani janë Tirana, Shkodra, Fieri dhe Durrësi.
Madje, Shkodra ditët e fundit është kthyer në një vatër të rrezikshme të koronavirusit në vend duke shënuar raste të shumta në çdo përditësim nga autoritetet. Gjatë 24 orëve të fundit, 16 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 248. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 37 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 prej tyre janë të intubuar.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 4 prej tyre janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 46 pacientë. Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet për herë të parë në Kukës dhe zgjerohet në Tiranë dhe Shkodër.