‘Shpresa vdes e fundit’/ Korçari nuk dorëzohet, aplikon për herë të 7 për lotarinë amerikane

Qarkullojnë shumë besëtytni mbi lotarinë amerikane, njëra prej tyre, që ka marrë jehonë edhe në rrjetet sociale, është se aplikantët nga juglindja janë më të privilegjuarit. Por, rasti i Xhentil Avdylit tregon të kundërtën. Ai nuk ka qenë aq me fat. Vitet e fundit ka aplikuar rregullisht, por nuk ka fituar.

“Unë jam 30-vjeç. Arsimin e lartë e kam kryer në Universitetin e Korçës. Është viti i 7 që aplikoj për lotarinë amerikane”, u shpreh ai.

Megjithëse ka një punë të mirë në Shqipëri, 30-vjeçari nga Kolonja dëshiron të largohet dhe ta krijojë familjen e tij në Shtetet e Bashkuara.

“Më e bukura është që të jetosh në vendin tënd, por për kushte më të mira jetese, për të krijuar një familje andej”, shtoi i riu.

Pavarësisht se 6 vitet e fundit ai nuk është shpallur fitues, Xhentil Avdyli aplikoi sërish këtë vit, i vendosur për të shkuar në Shtetet e Bashkuara një ditë.

“Shpresa vdes e fundit, shpresoj që mund të arrijmë këtë dëshirë”, përfundoi 30-vjeçari.