Një vendim i papritur ka tronditur ditët e fundit Spitalin Rajonal Elbasan. Drejtoria e spitalit ka shkarkuar nga detyra Dr. Ergys Micin shefin e Urgjencës së Elbasanit, një nga shërbimet më të ndjeshme dhe jetike për qytetin.
Mici njihet nga kolegët dhe pacientët si një profesionist me përkushtim të lartë, i angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në menaxhimin e rasteve emergjente dhe në funksionimin e shërbimit të urgjencës në spitalin rajonal. Gjatë viteve të drejtimit të tij, ai është vlerësuar për korrektësi profesionale dhe prezencë të vazhdueshme në punë.
Vendimi për shkarkimin sipas burimeve nga brenda spitalit, është bërë pa një shpjegim të qartë profesional.
Lëvizja ka ngritur shumë dyshime, sidomos në një moment kur shërbimi i urgjencës konsiderohet një nga më kritikët për qytetarët.
Vendimi bëhet edhe më i dyshimtë për shkak se, sipas informacioneve nga brenda spitalit, shefi i ri i Urgjencës rezulton të jetë aktualisht specializant në Tiranë dhe gjatë orarit të punës ndodhet jashtë Elbasanit.
Kjo ka shtuar pikëpyetjet mbi mënyrën se si po menaxhohet një shërbim që kërkon prezencë dhe përgjegjësi të plotë në çdo moment.
Deri tani, Drejtoria e Spitalit Rajonal Elbasan nuk kanë dhënë një shpjegim publik të detajuar mbi arsyet konkrete të këtij vendimi, ndërsa brenda stafit flitet për një shkarkim të padrejtë dhe të nxituar.
Në një kohë kur qytetarët kërkojnë stabilitet dhe profesionalizëm në shërbimet jetike, ky vendim pritet të vazhdojë të prodhojë pakënaqësi në shërbimet ndaj qytetarëve.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.