Policia e Elbasanit ka shpallur në kërkim dy persona të cilët u konfliktuan për motive të dobëta me dy vëllezër dhe që gjatë konfliktit njëri prej tyre qëlloi me armë zjarri në ajër. Bëhet me dije se në pranga ka përfunduar dhe një 40-vjeçar, për përkrahje të 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Në kërkim u shpallën edhe 2 shtetas të tjerë, për moskallëzim krimi dhe përkrahje të personave që qëlluan me armë. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti me të cilin qarkullonin shtetasit e shpallur në kërkim.
Sakaq materialet procedurale në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policise:
“Shërbimet e Policisë së Elbasanit, menjëherë pas marrjes së njoftimit se për shkak të një konflikti të çastit ndërmjet 4 shtetasve, ishte qëlluar me armë zjarri në ajër, kanë organizuar punën për identifikimin e shtetasve të përfshirë në konflikt dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.
Nga veprimet e shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve A. S., 28 vjeç dhe E. Ç., 44 vjeç, pasi dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në ajër, pas një konflikti të çastit me shtetasit U. G., 30 vjeç dhe M. G., 25 vjeç (vëllezër).
Vijon puna për kapjen e shtetasve A. S. dhe E. Ç., si dhe për përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej tyre.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 40 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si edhe shpallën në kërkim shtetasit H. M., 23 vjeç, dhe M. G., 37 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, njofton policia.