Duke filluar nga 1 tetori, qytetarët mund të paguajnë faturat e energjisë elektrike edhe me kartë bankare në pikat e shërbimit të OSHEE Group.
Lajmi u bë i ditur nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila theksoi se ky shërbim i ri do të shtrihet së shpejti në të gjithë vendin, duke u kthyer në një standard të ri të aksesit për qytetarët.
Sipas njoftimit zyrtar, ky sistem pagesash është vendosur fillimisht në Tiranë, por brenda pak javësh do të aplikohet në të gjitha qytetet e tjera, si pjesë e strategjisë së dixhitalizimit të shërbimeve që OSHEE ka ndërmarrë vitet e fundit.
Njoftimi nga OSHEE:
Risia e OSHEE Group, nga 1 tetori faturat e energjisë do të paguhen edhe me kartë pranë pikave të shërbimit
Duke filluar nga 1 tetori, qytetarët mund të paguajnë faturat e energjisë elektrike edhe me kartë bankare në pikat e shërbimit të OSHEE Group.
Projekti pilot është implementuar fillimisht në Tiranë, ku sportelet janë pajisur me aparate POS që pranojnë kartat e çdo banke, pa asnjë kosto shtesë për abonentët.
Ky shërbim vjen si pjesë e procesit të digjitalizimit dhe synon ta bëjë pagesën më të shpejtë, më të sigurt dhe më të lehtë për qytetarët.
Përmes pagesave me kartë qytetarët përfitojnë shërbim të shpejtë dhe komod pasi transaksionet kryhen menjëherë.
Pagesat e faturave të energjisë elektrike përmes kartës ofrojnë siguri më të lartë duke shmangyur mbajtjen e shumave të mëdha në dorë.
Përvec pagesave me kartë, klientët e OSHEE mund të paguajnë faturat e energjisë elektrike edhe fizikisht në sportelet tona, përmes platformës e-albania, apo kanalet alternative si Posta Shqiptare, pikat e transferimit të parave, si dhe bankat e nivelit të dytë.
Këto kanale u japin qytetarëve fleksibilitet dhe mundësi zgjedhjeje sipas nevojave të tyre.
Gjithashtu, faturat e energjisë elektrike mund t’i paguani dhe përmes platformave tona digjitale, aplikacionit të OSHEE dhe faqes zyrtare www.oshee.al.
Shërbimet digjitale ofrojnë mundësi për pagesa online, të shpejta dhe të sigurta, 24 orë në ditë.
Këto opsione janë veçanërisht të përshtatshme për ata që duan të shmangin sportelet dhe të menaxhojnë pagesat në distancë.
OSHEE Group planifikon që pas Tiranës, projekti i pagesave me kartë të zgjerohet edhe në qytete të tjera të vendit. Synimi është modernizimi i vazhdueshëm i shërbimeve, lehtësimi i procedurave për qytetarët dhe përshtatja me trendet e reja të digjitalizimit.
Top Channel