Tërmetet teksa lëvizin përmes qendrës së Tokës kanë zbuluar detaje të reja rreth strukturës së bërthamës së brendshme të planetit, sipas një studimi të botuar në Nature Communications këtë javë.
Për disa dekada, provat janë shtuar për të sugjeruar se bërthama e brendshme e ngurtë e planetit përbëhet nga shtresa të veçanta por vetitë e tyre kanë mbetur misterioze. Për të kuptuar më mirë strukturën e bërthamës së brendshme, studiuesit përdorën sizmometra të shumtë për të shqyrtuar se si valët sizmike shtrembërohen ndërsa kalojnë përmes bërthamës së Tokës.
“Toka lëkundet pas një tërmeti të madh, dhe jo vetëm për orë të tëra, por me ditë,” thotë bashkëautori Hrvoje Tkalçiç, një gjeofizik në Universitetin Kombëtar Australian në Canberra, Australi.
Për të zbuluar këto lëkundje, studiuesit regjistruan format e valëve afër vendit origjinal të tërmetit. Kjo u mundësoi atyre të shikonin udhëtimet e shumta nëpër qendrën e Tokës. “Është si një top ping-pongu që kërcen përpara dhe mbrapa,” thotë bashkautori Thanh-Son Pham, një student postdoktor në Universitetin Kombëtar Australian. Çdo jehonë merr rreth njëzet minuta për të kaluar nga njëra anë e planetit në tjetrën, dhe sizmometrat regjistruan deri në pesë kërcime nga një ngjarje e vetme.
Tërmetet arritën secili një magnitudë më të madhe se gjashtë ballë, por valët u dobësuan në mënyrë progresive ndërsa kalonin nëpër bërthamën e Tokës. Studiuesit përdorën një teknikë të quajtur ‘stacking’, në të cilën ata kombinuan format e valëve nga një ngjarje e vetme për të ndërtuar një pamje më të detajuar.
Gjeofizikani Vernon Cormier në Universitetin e Konektikatit në Storrs thotë se studimi është i rëndësishëm sepse ofron një matje të pjesës më të brendshme të Tokës që ishte shumë e vështirë për t’u arritur. Megjithëse teknika përdoret në mënyrë rutinore për eksplorimin e mineraleve, ajo nuk përdoret zakonisht në gjeofizikë. Zbulimi i fundit do të ndihmojë për të kuptuar se si u formua bërthama e brendshme e ngurtë e Tokës një proces që mendohet të ketë filluar diku midis 600 milionë dhe 1.5 miliardë vjet më parë.
Top Channel