Sara Mila në Labinot Mal: një histori që pasqyron plagën e emigrimit

Një takim i thjeshtë, por thellësisht domethënës, i deputetes së Elbasanit Sara Mila në fshatin Lugaxhi të Labinot Malit, ka rikthyer në vëmendje një nga plagët më të dhimbshme të shoqërisë shqiptare: emigrimin dhe vetminë që ai lë pas.

Gjatë vizitës së saj, deputetja ka takuar një gjyshe që jeton e vetme, ndërsa fëmijët dhe nipërit i ka larg, në emigrim. Një realitet i njohur për shumë zona rurale të vendit, ku shtëpitë mbeten bosh, por kujtimet dhe pritja nuk shuhen kurrë.

“Jetonte vetëm, por sytë i kishte plot dritë dhe buzëqeshjen nuk e kishte humbur”, shkruan Mila, duke përshkruar qetësinë dhe forcën e grave shqiptare që kanë mësuar të jetojnë me mallin dhe pritjen, pa u ankuar. Me rruazat në qafë, si një simbol kujtese dhe mbrojtjeje shpirtërore, gjyshja i foli pak, por mjaftueshëm për të thënë gjithçka.

Në mesazhin e saj, deputetja thekson se forca e gruas shqiptare nuk matet me pasurinë, por me aftësinë për të përballuar dhimbjen pa u thyer, duke nënvizuar se vetmia, largësia dhe vitet nuk ia zbehin hijeshinë grave që presin dhe që jetojnë çdo ditë me mallin për fëmijët e larguar.

Ky rrëfim i thjeshtë shndërrohet në një pasqyrë të realitetit të mijëra prindërve dhe gjyshërve shqiptarë, që shohin brezat e rinj të largohen për një jetë më të mirë, ndërsa ata mbeten roje të shtëpive, kujtimeve dhe traditave.

“Ka gra që nuk kërkojnë asgjë, por na mësojnë gjithçka”, përfundon deputetja Sara Mila, duke rikujtuar se forca dhe hijesha e grave shqiptare mbeten të pamposhtura, pavarësisht sfidave dhe dhimbjeve që sjell emigrimi.

Një histori e vogël nga një fshat i Elbasanit, por një mesazh i madh për një plagë që vijon të prekë gjithë Shqipërinë.