Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i shoqëruar nga deputetja Aulona Bylykbashi, ka inspektuar nga afër punimet në rrugën “Vasil Llapushi”, një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në rajonin nr. 2 dhe 3 të qytetit.
Gjatë inspektimit, Llatja u ndal në pjesën fundore të lagjes “Skënderbej”, ku prej disa vitesh po realizohet një sërë projektesh transformuese për zonën.
“Një sërë investimesh kemi bërë për rajonin nr. 3 në këtë zone, investimi i fundit ka qenë në rrugën ‘Ahmet Gashi’. Sot jemi te ish-Fubi dhe ‘Kombinati i Drurit’, ku kemi bërë një investim bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për rrugën ‘Vasil Llapushi’, e cila ishte shumë e kërkuar nga banorët, por është edhe një unazë lidhëse për rajonin 2 dhe 3,” u shpreh Llatja.
Ai shtoi se punimet janë në fazën përfundimtare, ndërsa paralelisht po planifikohen investime të tjera në infrastrukturën rrugore të zones.
“Jemi në fazën përfundimtare të këtij investimi, për të vijuar edhe me një tjetër investim, rruga ‘Bajram Curri’, e cila është bërë pjesë e lotit të parë dhe do të vazhdojmë sërish me lotin e dytë të kësaj rruge, për t’u lidhur kështu me rrugën ‘Iljaz Kosova’. Ndërkohë që rruga ‘Vasil Llapushi’ do të ketë një përfundim të saj në lotin e dytë për t’u lidhur me rrugën ‘Ahmet Gashi’ si edhe me pjesën tjetër të ‘Fushë Mbretit’.”
Sipas tij, kjo unazë e re brenda rajonit 2 dhe 3 ka një efekt të drejtpërdrejtë në qarkullim dhe në cilësinë e jetesës së banorëve.
“Me këtë unazë që po bëjmë në rajonin nr. 2 dhe nr. 3 lehtësojmë jo vetëm trafikun e kryqëzimit të Cerrikut, por i japim një lëvizshmëri shumë më të madhe banorëve të kësaj zone dhe një formalizim të mirëfilltë të një prej zonave informale që kishim më afër qytetit tonë. Nga një zonë informale para disa vitesh, tashmë kjo po kthehet në një zonë totalisht të urbanizuar nga investimet që ne kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve, nga kanalizimet e ujërave të zeza, rrugët e brendshme të lagjeve, rregullimi i kopshtit dhe tashmë së fundmi edhe infrastruktura lidhëse e këtyre dy rajoneve. I shërben edhe një zone akoma më të madhe sepse është një zonë e lirë ekonomike,” tha më tej ai.
Edhe deputetja Aulona Bylykbashi vlerësoi rëndësinë e investimit për komunitetin dhe zhvillimin ekonomik të zones.
“Ky është një investim i cili sjell përmirësim real të jetës në këtë zonë, që dikur është konsideruar informale, por sot është tërësisht e populluar dhe funksionale. Është shumë e rëndësishme sepse lehtëson trafikun për të dy rajonet, rajonin 2 dhe 3, gjithashtu i shërben shumë zonës ekonomike që është zhvilluar në këtë pjesë të qytetit. Edhe këtë vit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka parashikuar një buxhet të konsiderueshëm për investimet e reja dhe ne do të vazhdojmë të aplikojmë në një bashkëpunim shumë të frytshëm, ashtu siç ka qenë gjithmonë mes Bashkisë Elbasan dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për të vijuar edhe pjesën tjetër të investimeve në këtë zonë,” u shpreh Bylykbashi.
Administratori i lagjes “Skënderbej” falënderoi Bashkinë në emër të banorëve për punimet në rrugën “Vasil Llapushi” dhe rrugën “Bajram Curri”, duke i cilësuar ato si dy akse lidhëse shumë të rëndësishme për zonën.
Sipas tij, banorët e kishin kërkuar prej kohësh këtë ndërhyrje në infrastrukturë, pasi rruga ishte e domosdoshme për qarkullimin e lirë dhe sigurt. Investimi konsiderohet si realizim i një premtimi të dhënë nga Bashkia Elbasan gjatë procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje dhe një hap tjetër drejt urbanizimit të plotë të lagjes “Skënderbej”.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.