Tuesday , March 11 2025

Rritet çmimi i apartamenteve në Elbasan. Ja cilat janë zonat më të preferuara

Në Elbasan çmimet e shitjes së apartamenteve, në dy vitet e fundit, kanë pësuar rritje, e cila varion nga 20-30%. Zonat më të preferuara konsiderohet qendra e qytetit dhe lagjja historike Kala ku çmimet variojnë 700-800 euro m2. Sipas agjentit imobiliar, Eluert Dika kërkesat me te larta janë për banesa të vogla.

“Kërkesat më të shumta në Elbasan janë për apartamente 1+1 dhe 2+1 dhe me çmime jo shumë të larta gjithashtu edhe kërkesa për shtëpi me qera është gjithmonë në rritje”, u shpreh Eluert Dika, agjent Imobiliar.

Specialistët e fushës shohin  një rritje të interesit për të investuar në pasuri të paluajtshme në zonat turistike. Interesin më të lartë e përbën lagja muzeale “Kala”, ku kërkesat pas prezantimit të projektit të rijetëzimit janë shumëfishuar.

“Një trend tjetër në Elbasan është kërkesa e të huajve për të vizituar qytetin, ato kërkojnë apartamente dy ditore ose tre ditore”, tha ai.

Ndërkohë në zonat turistike malore si Bysheku, Gjinari, Funari, vëmendja është përqendruar te ndërtimi i shtëpizave me fokus turizmin.

“Po kërkohen toka për të bërë shtëpia druri, kryesisht për zonën e Byshekut, për Gjinarin, për Funarin”, u shpreh agjent imobiliar.

Një ndër arsyet që ka ndikuar në rritjen e çmimit të apartamenteve në Elbasan sipas agjentëve imobiliar  është edhe afërsia me kryeqytetin,  duke sjellë rritje të kërkesave për pasuri të paluajtshme në Elbasan./rtsh