Rriten pagat në arsim me efekt nga 1 janari 2026, përfitojnë mbi 36 mijë punonjës

Qeveria ka miratuar indeksimin me 2.5% të pagës bruto për të gjithë punonjësit mësimorë dhe jomësimorë të sistemit parauniversitar, një masë që hyn në fuqi nga 1 janari 2026 dhe prek rreth 36,390 punonjës në të gjithë vendin. Vendimi shoqërohet edhe me një rritje shtesë për kategoritë me paga mujore nga 58,000 deri në 74,000 lekë, duke e çuar rritjen totale për disa pozicione nga 4% deri në 5.17%.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga MIA, rritja përfshin rreth 30,000 punonjës të arsimit parauniversitar, me një efekt financiar mujor prej 114.5 milionë lekësh. Në arsimin profesional përfitojnë 1,500 punonjës, me një kosto mujore prej 6 milionë lekësh, ndërsa në arsimin parashkollor dhe konviktet janë 4,890 punonjës, me efekt financiar 16.7 milionë lekë në muaj. Në total, kostoja mujore e masës i kalon 137 milionë lekët.

Përveç indeksimit 2.5% mbi pagën bruto për çdo pozicion pune, kategoritë me paga nga 58,000 – 74,000 lekë do të përfitojnë edhe 3,000 lekë shtesë në muaj. Shtesa për vjetërsi do të vijojë të indeksohet automatikisht, duke ruajtur strukturën ekzistuese të pagesave dhe hierarkinë sipas përvojës.

Nga kjo masë përfitojnë mësuesit, edukatorët e kopshteve, psikologët dhe punonjësit socialë në shkolla, oficerët e sigurisë, si dhe kujdestarët e konvikteve, instruktorët dhe koordinatorët. Qeveria e paraqet vendimin si një ndërhyrje për të mbrojtur fuqinë blerëse të punonjësve të arsimit në kushtet e presioneve inflacioniste të viteve të fundit, si dhe si një sinjal për të rritur atraktivitetin e profesionit të mësuesit.

Në terma buxhetorë, rritja përbën një zgjerim të përhershëm të faturës së pagave në sektorin e arsimit, duke reflektuar prioritetin e shpallur për këtë fushë në politikat publike. Rritja e pagave në arsim vjen në një kohë kur debati për cilësinë e sistemit arsimor, mungesën e stafit në disa zona dhe nevojën për motivim të burimeve njerëzore është intensifikuar. Indeksimi dhe shtesat synojnë të japin një përgjigje financiare ndaj këtyre sfidave, ndërsa mbetet për t’u parë ndikimi konkret në tregun e punës dhe në përmirësimin e performancës së sistemit. /ekofin.al