Rivlerësimi i pronave është shtyrë për vitin 2025, pa caktimin e një afati të qartë për fillimin e procesit. Ky rivlerësim, i cili pritej të hapte dyert në shtator, po vonohet për shkak të përfundimit të reformës për vendosjen e referencave të pronave në të gjithë vendin.
Ministri Malaj shpalli se “Rivlerësimi i pronave do të realizohet në mënyrë paralel me caktimin e çmimeve të referencës për territorin e Shqipërisë, duke siguruar që të gjithë të përfitojnë. Procesi do të zgjasë gjatë vitit të ardhshëm, kur do të miratohen referencat e reja.”
Fillimisht do të përcaktohen çmimet e referencës në qytetet e tjera, pas së cilës do të nisë rivlerësimi, i cili është i domosdoshëm që qytetarët të përfitojnë nga vlerat e reja më të afërta me çmimet e tregut.
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se ky do të jetë rivlerësimi i fundit, dhe vendosja e referencave të reja, sidomos për qytetet bregdetare, do të rrisë automatikisht vlerat e pronave. Pas përfundimit të këtij procesi, qytetarët do të kenë mundësi të përftojnë vlerën më reale të pronave të tyre në përputhje me çmimet e tregut.
Për shembull, aktualisht një apartament në Durrës, pavarësisht lokacionit, ka një çmim reference rreth 660 euro për meter katror, ndërsa çmimet reale janë ndjeshëm më të larta. Nëse do të realizohej një rivlerësim tani, vlera e pronave do të mbetej e lidhur me referencat e vjetra, jo me vlerat aktuale të tregut.
Gjatë vitit 2023, çmimet e referencës për Tiranën u miratuan, me rritje të ndjeshme në zonat VIP të kryeqytetit, duke arritur deri në 30%. Për rivlerësimin e plotë, do të merret parasysh dhe 1% i amortizimit për çdo vit të vjetërsisë së banesës.