​Rikualifikimi i lagjes “Kala” në Elbasan, pritet të sjellë rigjallërim kulturor dhe historik

Projekti historik për transformimin e lagjes “Kala” në Elbasan, synon rikthimin e saj në shkëlqimin e dikurshëm.

Ky projekt pritet të sjellë jo vetëm një rigjallërim kulturor dhe historik, por edhe një zhvillim të rëndësishëm ekonomik për qytetin.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja tha në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “ky projekt synon rikualifikimin e plotë të lagjes “Kala”, duke e shndërruar atë në një zonë të qëndrueshme, tërheqëse dhe me vlera të mëdha kulturore e turistike”.

Përmes këtij investimi do të krijohen mundësi të reja për bizneset lokale dhe do të promovohet Elbasani si një destinacion i rëndësishëm turistik.

Duke e cilësuar këtë projekt si “fillimi i një epoke të re” për qytetin, Llatja tha se “objektivat kryesore të projektit përfshijnë rikualifikimin e lagjes ‘Kala’, duke ruajtur vlerat historike dhe trashëgiminë kulturore, nxitjen e sipërmarrjes lokale përmes zhvillimit ekonomik të zonës si dhe promovimin e qytetit të Elbasanit, si një pikë referimi për turizmin kombëtar dhe ndërkombëtar si dhe përmirësimin e administrimit të Kalasë, duke përfshirë aktivisht banorët dhe bizneset lokale”.

Pjesë e projektit është edhe Kalaja e Elbasanit, e cila për vite me radhë ka qenë simbol i historisë dhe traditave të qytetit, që do të kthehet në një magnet për turistët dhe një burim të ri ekonomie për banorët.

“Kalaja e Elbasanit ka një histori të jashtëzakonshme, por ndërhyrjet e pas viteve ’90 e kanë dëmtuar shumë. Ky projekt është një ditë historike për qytetin tonë, sepse më në fund po marrim masa konkrete për të rikthyer Kalanë në vlerat e saj maksimale. Kjo do të sjellë një identitet të ri për Elbasanin dhe do të bëjë të mundur që fëmijët tanë, turistët dhe shqiptarët të njohin më mirë kulturën, traditat dhe historinë tonë”, tha Llatja.

Llatja u shpreh se “gjithashtu se kjo nismë shënon fillimin e veprimeve konkrete për rivitalizimin jo vetëm të Kalasë, por edhe të muzeve brenda saj, si Shtëpia e Lef Nosit, Muzeu i Arsimit dhe institucione të tjera brenda dhe jashtë Kalasë”.

“Kalaja do të jetë pika qendrore e turizmit të qytetit, ndërsa projektet e tjera, si rivitalizimi i muzeve dhe përfshirja e pikave turistike të zonave si Funari, Gjinar dhe Tregani, do të shtojnë ofertën turistike të Elbasanit. Kjo kala është xhevahiri i kurorës sonë dhe tani është momenti që ajo të ndriçojë për të gjithë”, tha Llatja.

Më 11 janar në Elbasan u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit mes bashkisë Elbasan, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor (MSHPV) për rikualifikimin e lagjes “Kala” të qytetit, një zonë me vlera të pasura kulturore, historike dhe me potencial të madh për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Elbasanit.

Rikualifikimi i lagjes “Kala” është vlerësuar si një ndërhyrje me interes publik dhe një mundësi e shkëlqyer për rritjen e turizmit dhe zhvillimin e bizneseve lokale.

Ky projekt ka për qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët dhe bizneset në zonë.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim sjell eksperiencën e tij të suksesshme nga qytete të tjera shqiptare dhe një mbështetje të rëndësishme financiare për zbatimin e projektit.

Në fazën e parë, projekti përfshin analizimin e të dhënave urbanistike të Kalasë dhe hartimin e një koncepti të detajuar për rikualifikimin e saj.

Ky projekt ambicioz nuk është vetëm një hap drejt ruajtjes së historisë, por edhe një motor për zhvillimin ekonomik të qytetit, duke kthyer Kalanë e Elbasanit në një shembull të suksesit kombëtar.

Kalaja e Elbasanit dhe historiku i saj

Kalaja e Elbasanit është një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare, e cila daton që në qindvjeçarët e parë të mijëvjeçarit të parë. Sipas studimeve dhe analizave mbi fortifikimet romake në Ballkan, ndërtimi i saj lidhet me periudhën e sundimit të perandorit romak me origjinë ilire, Diokleciani (284-305 pas Krishtit).

Historia e ndërtimit dhe rindërtimit të kalasë ka kaluar nëpër tri periudha të rëndësishme historike:

Periudha e vonë Romake (shekujt III-IV) ku gjatë saj kalaja u ndërtua si një fortifikim strategjik dhe ushtarak, duke shërbyer si mbrojtje kundër sulmeve barbare dhe një pikë e rëndësishme kontrolli për rrugët e komunikimit romake, si Via Egnatia.

Periudha e hershme Bizantine (shekujt V-VI), ku Kalaja u rindërtua dhe u përforcua për t’iu përshtatur zhvillimeve të reja ushtarake dhe kërcënimeve nga popujt gotë e sllavë. Ndikimi bizantin është ende i dukshëm në elementët arkitektonikë dhe në trashëgiminë kulturore të zonës.

Periudha Osmane (shekulli XV), ku pas pushtimit osman, kalaja pësoi ndryshime të mëdha arkitektonike. Osmanët e përdorën atë si një qendër administrative dhe tregtare, duke e përshtatur për nevojat e kohës.

Kalaja e Elbasanit mbetet një nga atraksionet kryesore historike dhe turistike të Shqipërisë, duke ruajtur gjurmët e të tri periudhave historike. Ky monument i jashtëzakonshëm dëshmon për rëndësinë strategjike dhe kulturore të qytetit në histori, ndërsa projektet e fundit synojnë të ruajnë dhe të promovojnë këtë trashëgimi unike.