Reshjet rikthejnë problemet në qarkun Elbasan, rrëshqitje dherash dhe ndërprerje energjie në zonat malore

Qarku i Elbasanit është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët e mesatar, të cilat gjatë natës arritën deri në 24 mm. Si pasojë, janë shënuar rënie gurësh, inertesh dhe aluvionesh në disa akse rrugore:

• Elbasan–Qafë Thanë (rënie gurësh dhe pemësh në dy raste),

• Elbasan–Peqin (dalje aluvionesh),

• Elbasan–Gjinar në Derstile,

• Gramsh–Moglicë në Bersnik.

Firmat kontraktuese ndërhynë menjëherë dhe të gjitha rrugët janë të hapura për qarkullim.

Në qytetin e Elbasanit pati prani të madhe uji, por pa shkaktuar probleme.

Reshjet kanë sjellë edhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona malore të bashkive Librazhd, Prrenjas, Gramsh dhe Elbasan. Ekipet e OSHEE po punojnë në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit.