Gjatë natës, Qarku i Elbasanit është përfshirë nga mot me reshje shiu me intensitet mesatar dhe rrebeshe të herëpashershme, të shoqëruara në disa zona me erë të fortë. Pavarësisht kushteve të përkeqësuara atmosferike, strukturat e emergjencave civile raportojnë se situata në të gjithë qarkun paraqitet nën kontroll dhe pa probleme serioze.
Nga të dhënat e mbledhura mëngjesin e sotëm, rezulton se janë regjistruar raste sporadike të pranishmërisë së ujërave në rrugë dhe pemë të rrëzuara si pasojë e erës së fortë. Shërbimet bashkiake kanë ndërhyrë menjëherë për pastrimin dhe lirimin e akseve rrugore.
Në aksin nacional Elbasan–Qafë Thanë, në vendin e quajtur Kthesat e Murrashit, ka pasur rënie inertesh që përkohësisht bllokuan qarkullimin. Pas ndërhyrjes së firmës kontraktuese, rruga u pastrua dhe aktualisht qarkullimi është rikthyer në normalitet. Rënie inertesh janë raportuar gjithashtu në akset Gramsh–Moglicë dhe Gramsh–Cërrik, por pa penguar qarkullimin e mjeteve.
Në rrethrrotullimin e Shijonit, në nisje të autostradës Elbasan–Tiranë, reshjet intensive kanë sjellë grumbullim të madh ujërash, duke vështirësuar përkohësisht lëvizjen e automjeteve. Situata është stabilizuar pas ndërhyrjes së shërbimeve të pastrimit.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, ndërprerje të pjesshme janë regjistruar në:
• Njësinë Administrative Perparim (Bashkia Peqin)
• Njësitë Labinot Mal dhe Funar (Bashkia Elbasan)
• Njësinë Lunik (Bashkia Librazhd)
Ekipet e gatishmërisë së OSHEE ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal.
Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile vijojnë monitorimin e situatës në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, sidomos në akset rrugore malore ku mund të ketë rrëshqitje të dherave.
© BalkanWeb
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.