Rënie e menjëhershme temperaturash dhe mot i keq në Elbasan, Bashkia apelon për kujdes

Rënia e menjëhershme e temperaturave, e shoqëruar me reshje shiu dhe erëra të forta, ka përfshirë qytetin e Elbasanit.

Bashkia Elbasan u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për të shmangur situata të rrezikshme.

Agjencia e Shërbimeve Publike është në gatishmëri të plotë për të evidentuar dhe menaxhuar çdo problem që mund të shkaktohet nga moti i keq, ndërkohë që Policia Rrugore po menaxhon qarkullimin në akset nacionale dhe Policia Bashkiake është e angazhuar në territorin e qytetit.

Institucionet bëjnë apel që për çdo situatë emergjente qytetarët të kontaktojnë menjëherë numrat e urgjencës, të policisë apo të Bashkisë Elbasan.

Ky njoftim ka për qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e incidenteve në kushte të vështira atmosferike.