Reagon Drejtori i Urgjencës Kombëtare i infektuar me Covid-19: Tani e njoh më mirë virusin

Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, i cili u prek nga koronavirusi përmes një statusi në Facebook ka falenderuar të gjithë ata që janë interesuar për shëndetin e tij.

Brataj shkruan se tani e njeh virusin që po çmend botën më mirë se para një muaji. Ai thekson se falë mbështetjes, terapisë, dëshirës dhe vullnetit po mposht COVID-19.

POSTIMI I BRATAJ

Përshëndetje
Një falënderim të gjithë JUVE, që asnjëherë nuk më keni lënë vetëm në këto ditë të sëmundjes, izolimit dhe karantinës. E di që nuk kam mundur t’ju përgjigjem dot të gjitha mesazheve tuaja sepse janë të shumta, prandaj ju falënderoj dhe ju vë në dijeni se gjendja ime shëndetësore është më e mirë dhe shpresoj të jetë negative prova e tamponit. Unë mendoj se ja dola falë mbështetjes tuaj, terapisë, dëshirës dhe vullnetit që kam për ta mposhtur COVID-19.
GATI, për të rifilluar përsëri betejën me këtë armik të padukshëm, por që tani e njohim më shumë se një muaj më parë, kur u paraqit para nesh.
Nëse ka pasur shprehje që nuk e kam duruar që kur jam kthyer, është shprehja e famshme: NUK BËHET,
pa e ditur për çfarë problemi flitet, për çfarë pune, pa e pasur idenë ose kompetencat profesionale! Duke ju përveshur punës, ne krijuam një shërbim të pazëvendësueshëm, siç është ai i urgjencës, të cilin shumë prej jush e kanë provuar në këto tre vitet e fundit.
NUK KA GJË QË NUK BËHET, luftë që nuk fitohet, por duhet shumë shumë punë, shumë shumë durim, shumë shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim nga të gjithë.
Dr. Skënder Brataj