Kryeministri Rama përsëriti premtimin për pagën minimale 500 euro, janarin që vjen. Në komunikimin me ndjekësit në rrjetet sociale, iu përgjigj një komentuesi që i shkruante se kishte premtuar rritje pagash, por nuk ka bërë gjë. Sipas shefit të qeverisë, paga mesatare është rritur dy herë. Rama foli dhe për fushatën zgjedhore që fillon nesër. Ai tha se ndryshe nga herët e tjera do ta nisin me një cikël takimesh, duke qenë me fuqinë e tyre kryesore, që siç deklaroi, janë gratë dhe vajzat.
Shefi i qeverisë theksoi sot se paga mesatare në Shqipëri ka pësuar një rritje historike, duke arritur në 830 euro në totalin e saj mes sektorit publik dhe atij privat. Në rubrikën Sy m’Sy në rrjetin social Facebook, Rama vuri në dukje se në Shqipërinë e 2030-ës, paga mesatare do të jetë 1 mijë e 250 euro.
Vitin 2024 e mbyllëm me një pagë mesatare në sektorin publik prej 1000 eurosh, sipas të dhënave të INSTAT-it. Objektivi ynë është që në vitin 2030, kjo pagë të arrijë në 1250 euro, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, Shqipëria ndodhet në një fazë të fortë të rritjes ekonomike, çka ka krijuar mundësinë për të rritur ndjeshëm pagat në të gjitha sektorët. Më tej theksoi se rritja ka prekur edhe arsimin, ku paga mesatare për mësuesit është rritur nga 420 në 950 euro.
Mësuesit e dinë shumë mirë për çfarë po flas, sepse e ndjejnë në xhepat e tyre këtë ndryshim, shtoi kryeministri.
Po ashtu, Rama bëri të ditur se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i vendit është pothuajse trefishuar që nga fillimi i mandatit të tij, duke kaluar nga 9.6 miliardë euro në afro 25 miliardë euro në fund të vitit të kaluar.
Sot, Shqipëria ka mundësi që të paguajë paga shumë më të larta se dje. Dhe do të vazhdojnë të jenë më të larta, sepse ekonomia është në një cikël rritjeje të qëndrueshme, përfundoi Rama.