Familjet në nevojë do ndihmohen për të zëvendësuar pajisjet e vjetra në banesë, kryesisht ato që konsumojnë energji elektrike.
Kjo parashikohet në “Planin Kombëtar për Rinovimin e Ndërtesave”, të hedhur për herë të dytë në konsultim publik, përmes të cilit qeveria synon të ulë konsumin e energjisë elektrike.
“Familjet në nevojë shpesh përdorin pajisje të vjetra dhe joeficente. Një skemë për të zëvendësuar këto pajisje mund të çojë në një përdorim më eficent të energjisë dhe të ulë faturat. Masat e rinovimit të thelluar të ndërtesave do të kontribuojnë në uljen e ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike dhe termike, duke ndikuar drejtpërdrejtë në uljen e shpenzimeve për familjet, bizneset dhe institucionet publike.”
Sipas “Planit Kombëtar për Rinovimin e Stokut të Banesave”, ndihmat për familjet vulnerable nëpërmjet përmirësimit të kushteve të banimit, do të ndikojë jo vetëm në reduktimin e varfërisë energjitike, por do të përmirësojë dhe mirëqënien sociale.
“Investimet në përmirëzimin e izolimit termik, sistemeve të ngrohjes, ftohjes dhe ventilimit, përkthehen në më shumë komfort termik, përmirësimin e cilësisë së ajrit të brendshëm dhe shëndet më të mirë për banorët. Ndërtesat e rinovuara do të jenë më të qendrueshme ndaj fenomeneve ekstreme klimatike dhe do të kontribuojnë në ndërtimin e një infrastrukture më të sigurt dhe afatgjatë.”
Varfëria energjitike prek jo vetëm familjet si pjesë e sektorit rezidencial, por edhe disa kategori të ndërtesave bashkiakë. Shumë çerdhe, kopshte, shkolla dhe ndërtesa publike nuk arrijnë të përmbushin standardet e komoditetit për shkak të cilësisë së dobët të ndërtesave.
Sipas Ministrisë së Energjisë, krahas aspektit social, implementimi i masave të rinovimit do të gjenerojë kërkesë për fuqi punëtore në ndërtim, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.