Qeveria ndërron mendje dhe merr vendimin e papritur, shpërblim në fundvit edhe për këto kategori

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që parashikon se mjekët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit do të përfitojnë shpërblimin e fundvitit. Më parë, qeveria kishte ndërmarrë një akt tjetër ku përjashtonte të gjithë punonjësit shtetërorë nga organizimi i festës së fundvitit dhe shpërblimit për punën njëvjeçare. Ky vendim i ri vjen edhe për shkak se bluzat e bardha dhe uniformat blu kanë qenë përgjatë gjithë vitit në ballë të luftës kundër Covid-19.

Mjekët me pacientët në spitale, ndërsa policët me qytetarët në rrugën gjatë vendosjes së masave shtrënguese.

“Në fund të pikës 9, të vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje: “Përjashtimi kufizues sa më sipër nuk aplikohet për institucionet e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e Policisë së Shtetit, mënyra e pagesës së të cilave përcaktohet, përkatësisht, nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.”, thuhet në vendim.

VENDIMI I PLOTË

Nr. 1044, datë 18.12.2020 PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR. 929, DATË 17.11.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE PËRDORIMIN E FONDIT TË VEÇANTË”, TË NDRYSHUAR.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës; të nenit 4, të ligjit nr. 10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 12, të ligjit nr. 88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Në fund të pikës 9, të vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje: “Përjashtimi kufizues sa më sipër nuk aplikohet për institucionet e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e Policisë së Shtetit, mënyra e pagesës së të cilave përcaktohet, përkatësisht, nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.