Qendra e Formimit Profesional Publik Elbasan shpërndan dhurata për fëmijët me aftësi ndryshe

Stafi i Qendrës së Formimit Profesional Publik Elbasan zhvilloi një aktivitet solidar gjatë ditëve të festave, duke vizituar Shkollën Speciale “Zëra Jete”, ku shpërndau dhurata dhe ushqime të përgatitura me përkushtim për fëmijët me aftësi ndryshe.

Vizita u shoqërua me momente ngrohtësie dhe afrimiteti, duke përcjellë mesazhe humanizmi, solidariteti dhe mbështetjeje për fëmijët dhe stafin pedagogjik të shkollës. Përfaqësuesit e qendrës theksuan se iniciativa të tilla i japin kuptim të veçantë frymës së festave, duke vënë në qendër vlerat e ndarjes, empatisë dhe kujdesit për njëri-tjetrin.

Gjatë aktivitetit u vlerësua puna e përditshme e stafit të Shkollës Speciale “Zëra Jete”, për angazhimin dhe përkushtimin e treguar në edukimin dhe mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Qendra e Formimit Profesional Publik Elbasan shprehu angazhimin për të qenë edhe në vijim pranë këtyre komuniteteve, duke promovuar vlera njerëzore dhe sociale që forcojnë lidhjen mes institucioneve dhe qytetarëve, veçanërisht gjatë periudhave festive.