Finalizohet si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, kundër armëmbajtjes pa leje, operacioni policor i koduar “Indiciet”.
Qarkullonin të armatosur me kallashnikov, arrestohen në flagrancë 2 shtetas me precedentë penal brenda ose jashtë vendit.
Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov, fishekë të saj dhe automjeti me të cilin qarkullonin të arrestuarit.
Si rezultat i një hetimi proaktiv, të ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, kundër armëmbajtjes pa leje, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan finalizuan operacionin policor të koduar “Indiciet”. Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguara gjatë hetimit proaktiv, kanë ndaluar për kontrolle, në rrugën “Iliaz Kosova”, automjetin me drejtues shtetasin A. K., 32 vjeç (i dënuar më parë në Gjermani), dhe me pasagjer shtetasin R. S., 30 vjeç (me precedent për plagosje dhe për kundërshtim të punonjësve të Policisë).
Gjatë kontrolleve është gjetur nën sediljen e pasagjerit, 1 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak, që posedohej pa leje nga të arrestuarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.