Ajo është e vetmja këngëtare shqiptare, që u ngjit në skenën e San Remos. Në fillim të viteve ’90, Elsa Lila pati fituar dy herë më parë Festivalin e Këngës në RTSH. U rikthye në vendin tonë, për t’i rikthyer dinjitetin e humbur këtij festivali, muzikës shqiptare, rreth 12 vite më parë. Kur prezantoi me Pirro Çakon një nga festivalet e fundvitit. Elsa Lila vazhdoi karrierën edhe për disa kohë, duke e ndërprerë papritur atë.
Sot mbetet një nga zërat më të rrallë. Elsa Lila mbetet po ashtu një ikonë e muzikës shqiptare.
Këngëtarja çuditërisht është zhdukur jo vetëm nga impenjimet artistike, por edhe nga rrjetet sociale, prej disa vitesh. Nuk dihet arsyeja e këtij vendimi. Ajo mësohet se ka vendosur prej më shumë se tre vitesh t’i përkushtohet jetës familjare, vajzës së saj, larg vëmendjes së publikut.
Duket se u tërhoq kur pa se në vendin e saj nuk mund të bënte asgjë më shumë për të shpëtuar artin dhe kulturën, nga degjenerimi, dhe tallavaja ku është katandisur sot.
Këngë pa tekst, pa muzikë dhe pa zë, shiten si arritje të mëdha dhe iu serviren të rinjve, përmes një tregu që nuk kuptohet se përse ekziston dhe kujt i shërben, veç “tërbimit” të rinisë dhe asgjësimit të kulturës në përgjithësi, muzikës në veçanti.
Mori pjesë pak vite më parë në jurinë e përzgjedhjes së talenteve në një konkurs, në televizionet tona. Dhe kjo ishte prania e saj e fundit, sa i përket karrierës në Shqipëri. Elsa Lila prej atëherë kishte disa kohë që i mungonte skenës dhe po ashtu edhe rrjeteve sociale .
Madje edhe vizitat në vendlindjen e saj, Tiranë, kanë munguar. Vjen radhë dhe takon familjarët e saj, sikurse është shfaqur me dajën e saj, avokatin e njohur, Saimir Vishaj.
Hera e fundit që u shfaq para publikut si artiste ishte në fillim të këtij viti, kur mori pjesë në një koncert bamirësie, në Itali, për t’iu ardhur në ndihmë të dëmtuarve nga tërmeti i 26 nëntorit.
E shëndoshur dhe larg elegancës së dikurshme, Elsa Lila pranoi që të rikthehet vetëm për këtë arsye, pak muaj më parë, duke treguar se, megjithatë, dashuria për Atdheun, është ndjenjë që pavarësisht rrethanave nuk iken kurrë, në shpirtin e një artisti të vërtetë.
Dhe pas atij koncerti, Elsa vazhdon jetën e saj, larg publikut që e duartrokiti dhe e nuk e harron kurrë për gjithçka dhuroi në skenë./NOA.al