Lajmet e mira nga pavionet e Covid-19 janë të vështira të vijnë këto ditë. Një rritje e pamëshirshme e infeksioneve po tejmbush spitalet në të gjithë botën. Por rezultatet nga provat klinike të dy ilaçeve kanë ngjallur shpresë, si për pacientët ashtu edhe për spitalet. Bëhet fjalë për dy ilaçet, të quajtura tocilizumab dhe sarilumab, aktualisht përdoren për të zvogëluar inflamacionin te pacientët me artrit. Hiper-inflamacioni, ku sistemi imunitar kalon në mbitension dhe shkatërron organet, është mënyra se si Covid-19 tenton të vrasë.
Tocilizumab dhe sarilumab janë më të shënjestruar se deksametazon, që është një prej ilaçeve më të përshtatshme anti-inflamator për Covid-19. Tocilizumab dhe sarilumab janë bërë nga antitrupa që bllokojnë efektin e interleukin-6, një proteinë që nxit përgjigjen imune dhe ka qenë e spikatur në pacientët me Covid-19.
Prova klinike e tocilizumab dhe sarilumab regjistroi 800 pacientë të shtruar në spital për Covid-19 të cilët kishin nevojë për kujdes intensiv. Prova u zhvillua në gjashtë vende, me shumicën e pjesëmarrësve në Britani. Gjysma e 800 pacientëve morën një nga dy ilaçet në krye të trajtimit standard dhe gjysma tjetër morën vetëm trajtimin standard (përfshirë deksametazonin).
Pothuajse 36% e pacientëve në grupin e trajtimit standard vdiqën, krahasuar me 27% të pacientëve në grupin që gjithashtu morën tocilizumab ose sarilumab. Me fjalë të tjera, ajo uli shkallën e vdekjes me rreth një të katërtën. Për më tepër, pacientët e trajtuar me këto ilaçe u shëruan më shpejt dhe dolën nga spitali 7-10 ditë më parë.
Të dy ilaçet duket se punojnë njëlloj mirë, megjithëse rezultatet janë më të sigurta për tocilizumab që është një ilaç më i vjetër, më i disponueshëm dhe, për këtë arsye, iu dha pjesës dërrmuese të pjesëmarrësve.
Lajmi i keq është se ilaçi nuk është i lirë dhe mund të jetë përtej mundësive të vendeve në zhvillim.
Burimi: The Economist