Një 28 vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Trento të Italisë. Mediat italiane raportojnë se i riu shqiptar i identifikuar si Lucjan Elezi është gjetur i vdekur në shtëpi, pasi ishte infektuar nga koronavirusi.
28-vjeçari ishte në pritje për të bërë tamponin e dytë për të vërtetuar nëse ishte shëruar plotësisht.
Dhjetë ditë më parë ai kishte shkuar në spital pasi rezultoi i infektuar me Covid-19. Pas përmirësimit ai shkoi në shtëpi ku do të qëndronte i izoluar. Në testin e parë i riu doli negativ, ndërsa ishte në pritje të testit të dytë për të vërtetuar nëse ishte shëruar plotësisht.
Për momentin shkaku zyrtar i vdekjes dyshohet të jetë bërë një emboli pulmonare. Ndërkohë që vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e plota.
Mediat fqinje shkruajnë se për vite me radhë ai banonte në Val di Fassa dhe kishte punuar së pari në sektorin e ndërtimtarisë.
Elezi kishte mbërritur në Val di Fassa nga Shqipëria, ku i ishte bashkuar vëllait dhe xhaxhait të tij, më pas kishte mbërritur edhe gruaja me të cilën jetonte.