Prej disa ditësh në koma, 22-vjeçari humb jetën pas aksidentit në Elbasan/ Foto

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Elbasanit, pasi një 22-vjeçar nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra në një aksident që ndodhi disa ditë më parë në zonën e Letanit dhe ka humbur jetën pas disa ditëve në koma.

Sipas burimeve, aksidenti ndodhi teksa i riu, Klaus Veliaj, po drejtonte një mjet bujqësor, i cili doli nga rruga pas humbjes së kontrollit. Si pasojë e përplasjes, Klaus dhe një person tjetër që udhëtonte me të u plagosën rëndë.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, Klausi ndërroi jetë ditën e djeshme në spital, duke lënë pas dhimbje dhe tronditje të madhe në familjen e tij dhe mes miqve.

Të afërmit dhe bashkëmoshatarët e përshkruajnë 22-vjeçarin si një djalë punëtor, të qetë dhe plot jetë, që ëndërronte të ndërtonte të ardhmen në vendlindje.