Qyteti brenda Kalasë së Elbasanit pati periudhën e tij më të lavdishme gjatë shekullit të XVII-të, kur jeta e esnafëve fliste për një qytet të rrallë me dymijë shtëpi, 900 dyqane me zeje lëkure, mëndafshi, e metale, sidomos argjend, që tregtoheshin jashtë vendit. Plot 100 vjet pasi e pushtuan osmanët, qyteti filloi të shpërndahej jashtë Kalasë.
Sot “qyteti” brenda mureve quhet lagjja e Kalasë, ndër të vetmet në Shqipëri ku ka ende plot vendbanime, të cilat bashkëjetojnë me të kaluarën. Tashmë, nga kalaja origjinale ka mbetur vetëm porta jugore e saj por ajo përmban shumë monumente të tjera të ndërtuara ndër shekujt në vazhdim. Secili prej monumenteve brenda Kalasë, si kisha katolike unite apo ajo ortodokse “Fjetja e Shën Marisë”, shkolla e vjetër e Kalasë, xhamia Mbret apo hamami i vjetër i grave, Kulla e Sahatit apo çdo shtëpi e rrugicë brenda kësaj kalaje, mban gjurmë të historisë së gjatë të këtij vendi.
Në anën lindore të portës së Kalasë, në qendër të qytetit, gjendet Kulla e Sahatit. E ndërtuar në fund të ‘800-ës, në vitin 1963, ajo u shpall monument kulture – transmeton elbasaniplus.com
Të gjitha këto që thamë më sipër shumë prej nesh edhe i dinë apo i kanë dëgjuar më parë, por ajo që është e veçantë dhe që shumë pak njerëz e dinë është ekzistenca e kishës katakomb, e cila ndodhet poshtë një shtëpie në lagjen Kala. Kjo kishë, ndryshe nga të tjerat është ndërtuar nën dhé.
Kisha e Shën Kozmait e ndërtuar në lagjen Kala në qytetin e Elbasanit mbart vlera të veçanta shpirtërore për besimtarët pasi në kohën e komunizmit të egër në të janë ruajtur reliket e shenjta të Shën Joan Vladimirit, një pjesë e të cilave gjenden edhe sot!
Kisha është imitim i kishave katakomb të cilat në kohët kur krishtërimi nuk ishte i lejuar dhe i ligjitimuar si fe, besimtarët e krishterë i ndërtonin kishat e tyre poshtë tokës me qëllim që të mos dukeshin nga pushtetarët e asaj kohe! – citon elbasaniplus.com
Kjo kishë e veçantë ndodhet në fillim të rrugës Bardhyl Popa në Lagjen Kala, shumë lehtë për t’u gjetur, por shumë pak e njohur. Për më shumë mund të vizitoni këtë kishë dhe të shihni fotot e mëposhtme që janë të papublikuara më parë./elbasaniplus/