Me nisjen e sezonit të ri televiziv, kanë nisur tashmë ndryshimet e para në fushën e moderatorëve dhe drejtuesve të emisioneve. Pak ditë më parë Descript.al raportoi ekskluzivisht largimin e gazetarit Alfred Lela nga “RTV Ora”. Sezonin e shkuar Lela drejtoi emisionin politik “Politik On”, ndërsa Descript.al ka siguruar edhe emrin e personit që do ta zëvendësojë.
Bëhet fjalë për ish zv/kryetarin e LSI, Luan Ramën, i cili pas shumë vitesh i është rikthyer gazetarisë. Redaksia e Descript.al ka mësuar se Rama nga data 20 shtator do të nisë në darkë një emision politik nën logon e Radio Televizionit Ora, dedikuar zhvillimeve në vend.
Luan Rama i ka dedikuar shumë vite karrierës së tij si gazetar, madje për një periudhë të gjatë kohore ka qenë edhe drejtues i gazetës “Zëri i Popullit”. Këtë herë ai ka zgjedhur mes politikës dhe profesionit të tij në media, duke “braktisur” njëherë e mirë “Lëvizjen Socialiste për Integrim”.