“Po na shfrytëzojnë nga mëngjesi në darkë” mësuesit rrëfejnë ç’po ndodh realisht në shkolla

Teksa ka kaluar një javë nga nisja e vitit shkollor, duket se të gjithë problemet janë shfaqur. Udhëzuesi i pakonsultuar me ekspertët e arsimit ka shfaqur mjaft vështirësi në zbatimin e tij, te nxënësit, mësuesit edhe vetë prindërit. Arsimtarët kanë një ngarkesë të jashtëzakonshme mësimore dhe po ashtu ndodhen në gjendje të rënduar psikologjike. Disa prej tyre denoncojnë për “Iconstyle.al”, se janë duke u përballur me vështirësi të cilat sipas tyre nuk i solli pandemia, por vendimet e shpejta të Ministrisë së Arsimit. Situata paraqitet e tillë në çdo qytet.

Por, duket se moszbatimi i protokollit nuk është i vetmi problem, një tjetër shqetësim për ata është edhe puna pa pushim nga mëngjesi deri në darkë. Ata shprehen se nuk u lejohet të bëjnë pushim, pasi ndërrohen turnet dhe nuk mbetet kohë. Alban Brati mësues në një nga shkollat e kryeqytetit thotë se u duhet gjatë gjithë kohës të qëndrojnë në këmbë, deri në përfundim të turnit të fundit, i cili mbaron në orët e mbrëmjes.

“Jam i sigurt se zhvillimi i mësimit në këtë mënyrë do ndikoj shumë negativisht në shëndetin tim. Nuk e kam parë veten më keq se këtë javë gjatë mësimdhënies. Duart e mia më dukeshin sikur punoja në ndonjë furrë gëlqereje. Të luaj rolin e indiferentit nuk e bëj dot sepse vitet e punës dhe misioni nuk më lejojnë. Do vazhdoj sa të kem fuqi edhe pse jam i vetëdijshëm se shëndeti do dëmtohet”– thotë ai.

Alketa Demiri, mësuese e matematikës në shkollën ‘Kosova’ Tiranë, thotë se nuk mund të vazhdohet gjatë në këtë mënyrë, duhet të ketë një zgjidhje tjetër. Ajo propozon shtim të mësuesve, në mënyrë që të zëvendësojnë njëri-tjetrin që t’u lehtësohet ngarkesa mësimore.

 “Duhet të marrin masat, të shtojnë mësuesit, të kanalizohet puna. Në këtë mënyrë nuk ka kuptim. Nëse nuk kanë buxhet për mësues të rinj, të marrin masa të tjera. Online nuk është alternativa, as në këto kushte rikthimi në shkollë nuk është zgjidhje. Ndoshta duhet të mbyllen edhe për një kohë. Ne e dimë që pandemia do të vazhdojë për një kohë të gjatë, por nuk mund të rrezikojmë”– deklaron ajo e revoltuar. Sakaq thotë se një tjetër problem është se ende nuk e dinë nëse do të paguhen për orët shtesë. “Punojmë nga mëngjesi deri në darkë dhe ende nuk e dimë nëse do paguhemi për orët që kalojnë 6-orarshin. Janë mbi 8 orë mësim, ku është parë dhe dëgjuar që të veprohet në këtë mënyrë”– përfundoi Demiri.

Ardi Stefa, ekspert: Do të jetë një vit i humbur, të merren masa për ndryshim. Eksperti i arsimit Ardi Stefa, thotë se rikthimi në shkollë nuk ka patur një plan. Sipas tij më shumë se kurrë Ministria e Arsimit duhet të konsultohej me të gjithë grupet i interesit, në mënyrë që të jepej si zgjidhje alternativa e duhur. Sipas tij udhëzimi i autoriteteve me 3 skenarë nuk është zgjidhje.

“Jemi në javën e dytë të mësimit dhe problematikat kanë nisur të shfaqen. Kemi nxënës të infektuar, mësues dhe këta të fundit janë duke u torturuar me orare të tejzgjatura. Mësuesit paraqiten në punë në orën 07.30 dhe në rast se shkollat do të zhvillojnë mësimin me tre e katër turne këta mësues janë në rastin më të mirë deri në orën 17.00, ndërsa më rastin më të keq deri në orën 20.00. Këta mësues nuk kanë familje, fëmijë në moshë shkollore, nuk kanë nevojë të përgatiten për ditën pasardhëse?

 Shumica dërrmuese e shkollave (të gjitha shkollat publike) bëjnë orë të shkurtuara. Orët shtesë do të merren përsipër nga mësuesit ekzistues, gjë që do të ulë ndjeshëm cilësinë e mësimdhënies. E njëjta situatë ndoshta do të ndodhë ose po ndodh edhe në shumë shkolla jopublike, të cilat do të gjejnë rastin për të përfituar në kurriz të mësuesve, duke i ngarkuar më shumë me ngarkesë mësimore dhe, rrjedhimisht, duke i paguar më pak”- nënvizon eksperti.

Sipas tij, ky vit mësimor do të jetë i humbur. “E them me bindje të plotë se për shumicën e nxënësve shqiptarë, ky vit i organizuar në turne, me mësues të mbilodhur ose të “kategorisë së dytë”, me orë të shkurtuara dhe mësues të papaguar, do të jetë një vit i humbur nga pikëpamja arsimore”./MARRË NGA “ICON STYLE”