Një 23-vjeçar është vënë në pranga ditën e sotme në Fier. I riu është arrestuar pasi ka plagosur me armë babanë e tij pas një konflikti në familje. Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur në mesnatë në fshatin Mbrostar Ura.
Nga ngjarja ka mbetur i plagosur një 58-vjeçari. Ai plagos në këmbë dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Arma sportive është sekuestruar nga policia.
Njoftimi i policisë:
Plagosi babanë e tij, me një armë të modifikuar, pas një konflikti në familje, kapet 23-vjeçari. Sekuestrohet arma e modifikuar si armë sportive. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, rreth mesnatës, sapo janë njoftuar se një shtetas kishte plagosur babanë e tij, në banesën e tyre, në fshatin Mbrostar Ura, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u kap dhe u vu në pranga, shtetasi J. Z., 23 vjeç. Ai dyshohet se pas një konflikti me babanë e tij, shtetasin N. Z., 58 vjeç, e ka plagosur atë, në këmbë, me një armë të modifikuar si armë sportive.
58-vjeçari është aktualisht në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.