Një 51-vjeçar dhe djali i tij 27-vjeç kanë rënë në prangat e policisë pasi plagosën me sende të forta një 34-vjeçar.
Po ashtu edhe ky i fundit është arrestuar nga uniformat blu pasi dyshohet se ka kanosur me thikë, njërin nga të arrestuarit.
Konflikti mes të treve raportohet se ka ndodhur para dy ditësh (2 janar) në vendin e quajtur “Departamenti i Bujqësisë”.
Thika u sekuestrua si provë materiale.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt në vendin e quajtur “Departamenti i Bujqësisë”, kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit (babë e bir):
-R. D., 51 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;
-R. D., 27 vjeç, banues në Gramsh, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi K. T., 34 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se mbrëmjen e datës 04.01.2026, shtetasi R. D. dhe djali i tij kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin K. T., 34 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes është gjetur një mjet prerës (thikë), që dyshohet se e posedonte shtetasi K. T. dhe se ai e ka përdorur për të kanosur 27-vjeçarin.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit R. D. iu gjet një send multifunksional, i cili u sekuestrua dhe do t’i nënshtrohet ekspertimit teknik.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.