Besimin që po merr nga trajneri Ivan Gvozdenoviç, 25-vjeçari e ka shpërblyer me 4 gola në 3 ndeshje, duke shkuar kështu në kuotën e 7 golave në total. Në intervistën e dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport” pas ndeshjes, me topin e firmosur nga shokët e skuadrës, sulmuesi elbasanas nuk e fsheh kënaqësinë për tripletën. Golat ai ia dedikon skuadrës dhe tifozëve, ndërsa tani kërkon edhe avancimin në kupë. Është një sulmues i ftohtë dhe nuk ka “fiksim” të veçantë për golat, sepse mendon më shumë për skuadrën, ndërsa lojtari që e frymëzon më shumë është Karim Benzema.
Lleshi, shënuat tre gola dhe i dhatë fitoren skuadrës. E prisnit këtë paraqitje?
Unë përpiqem që sa herë më jepet mundësia, të jap maksimumin tim në fushë për të ndihmuar skuadrën. Stërvitem çdo ditë për këtë gjë dhe këtë herë për fat të mirë shënova golat që i dhanë Elbasanit fitoren.
Kujt ia dedikoni këtë tripletë?
Golat i shkojnë gjithë skuadrës, djemve, stafit, tifozëve. Pa ata nuk do të ishte e mundur të shënoja, ndaj golat i shkojnë gjithë ekipit.