Përditësim nga Bashkia Elbasan: Situata e reshjeve nën kontroll, pa banesa të përmbytura

Gjatë natës, si pasojë e reshjeve intensive të shiut, janë shfaqur disa problematika në territorin e Bashkisë Elbasan, megjithatë situata paraqitet e menaxhueshme dhe pa pasoja për banesat.

Sipas njoftimit zyrtar, nuk ka pasur prani uji në asnjë banesë, falë ndërhyrjes së menjëhershme të strukturave përgjegjëse.

Gjatë orëve të natës, ekipet e Bashkisë ndërhynë në zonën pranë Uzinës 12, ku uji po afrohej drejt disa banesave. Pas urdhrit për zhbllokimin e kanalit nga kompania private që kishte krijuar pengesën, situata u stabilizua dhe u normalizua plotësisht.

Aktualisht, mjetet dhe punonjësit e Agjencisë së Shërbimeve Publike (ASHP) janë të angazhuar në zonat Mlizë, Shushicë, Jagodinë, Muriqan dhe Valas, ku ka prani uji në toka bujqësore. Ndërkohë, ekipet në qytet vijojnë punën për pastrimin e kolektorëve të kanalizimeve, të cilët bllokohen nga mbetjet e sjella nga vërshimet.

Si pasojë e gatishmërisë 24-orëshe, situata në qytetin e Elbasanit vijon të jetë e qetë dhe pa problematika serioze.

Sa i përket prurjeve ujore, lumi Shkumbin dhe përrenjtë Zaranikë dhe Manazdere mbeten në kuota mesatare deri të larta, por të përballueshme, ndërsa përroi i Kushes shënon prurje më të mëdha dhe po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet intensive pritet të vijojnë edhe në orët në vijim. Për çdo situatë emergjente, qytetarët ftohen të kontaktojnë në numrat:

🚓 Policia e Shtetit: 129

🚒 Zjarrfikësja: 128

🆘 Numri unik i emergjencave: 112

Për problematika që lidhen me furnizimin me ujë, janë në dispozicion edhe numrat e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve:

📞 +355 68 641 6064

📞 +355 69 475 0333