Duket se penalltitë janë kthyer në një makth të vërtetë për Elbasanin. Një problem që nisi sezonin e kaluar, kur verdheblutë humbën disa raste vendimtare nga pika e bardhë, tashmë po përsëritet edhe këtë edicion. Në një kampionat ku çdo detaj bën diferencën, kjo dukuri është shndërruar në një “plagë” që i ka kushtuar jo pak skuadrës, duke i prishur edhe llogaritë në fund.
Edhe pse në Rrogozhinë “faji” në fund i mbeti gjykimit me atë vendim të diskutueshëm, ku nuk përsëriti penalltinë, por anuloi golin e shënuar më pas, mbetet fakt se nëse Loukili do të kishte shënuar në tentativën e parë, kjo histori e gjatë do të kishte marrë fund. Një realizim i tillë do t’i jepte jo vetëm qetësi lojtarëve, por edhe besim për sfidat e ardhshme.
Gjithsesi, në kampin verdheblu shpresojnë që të bëhet fjalë vetëm për një ngërç momental dhe çdo mundësi që do t’u vijë nga pika e bardhë në të ardhmen, të arrihet të shfrytëzohet maksimalisht.
VITI I KALUAR – Sezoni i kaluar është shembulli më i qartë se ku qëndron problemi. Elbasani fitoi shtatë penallti gjatë kampionatit, por nuk arriti të përfitojë siç duhet prej tyre. Nga këto shtatë raste, tre u shpërdoruan dhe vetëm katër u shënuan.
Humbja e penalltive të Mustës ndaj Tiranës dhe Skënderbeut, si edhe e Tsague ndaj Laçit, i privuan verdheblutë nga pikë që do të kishin pasur shumë vlerë në klasifikim dhe që ndoshta do t’i kishin dërguar deri në “Final 4” dhe në Europë. Nga ana tjetër, Hila, Lila dhe sërish Musta, që realizoi dy herë ndaj Partizanit, ishin ata që mbajtën gjallë shpresën se ky problem po kapërcehej. Megjithatë, bilanci i përgjithshëm ishte negativ. Tre gabime dhe katër re alizime nuk janë një shifër për t’u injoruar, sidomos për një ekip që kërkon të garojë seriozisht mes më të mirëve të vendit.
MAKTHI VAZHDON – Në vend që ky makth të mbetej në të shkuarën, Elbasani e nisi sezonin e ri pikërisht me një tjetër penallti të humbur. Në ndeshjen ndaj kampionëve të Egnatias në Rrogozhinë, Karim Loukili kishte mundësinë të ndryshonte rrjedhën e lojës, por gjuajtja e tij nuk përfundoi në rrjetë. Ishte një skenar i përsëritur që solli zhgënjim te skuadra dhe tifozët, duke rikthyer menjëherë në kujtesë problemet e një viti më parë. Në total, në harkun e një sezoni të plotë dhe dy javëve të para të këtij edicioni, Elbasani ka shënuar katër dhe ka humbur po katër penallti.

Një përqindje e dobët, vetëm 50%, që tregon qartë se diçka nuk shkon as në aspektin teknik dhe as në atë psikologjik. Nuk është thjesht çështje lojtari, pasi dështimet janë shpërndarë mes emrave të ndryshëm si Musta, Tsague dhe tani Loukili. Kjo tregon se problemi është më i gjerë dhe lidhet me përgjegjësinë e momentit, me presionin dhe ndoshta me mungesën e një “specialisti” të vetëm nga pika e bardhë. Për një skuadër si Elbasani, që kërkon të rritet, të bëhet konkurruese dhe të pretendojë për vendet e para, është jetike të gjejë menjëherë zgjidhje.
Penalltitë janë pjesë e pandashme e futbollit dhe shpesh përcaktojnë fatin e një ndeshjeje apo të një sezoni të tërë. Një skuadër që humbet gjysmën e rasteve nga pika e bardhë, rrezikon të humbasë jo vetëm pikë, por edhe objektiva madhorë. Prandaj, në kampin verdheblu, zgjidhja e këtij problemi duhet të jetë një nga prioritetet kryesore në javët që vijnë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL