Dublimi i roleve dhe një organikë sa më e pasur për të përballuar sezonin, është objektivi i Elbasanit në këtë merkato vere.
Nuk do të jetë një mision i lehtë, por në Elbasan e kanë seriozisht për sezonin e ardhshëm, ku më e pakta do të jetë pjesëmarrja në Kupat e Europës. Kanë nisur pak e nga pak të dalin në skenë edhe emrat e parë që mund të afrohen, edhe pse jemi ende në muajin maj. Gjithsesi, deri më tani nuk kanë bërë asnjë afrim zyrtar, edhe për faktin se lojtarët janë ende nën kontrata me skuadrat e tyre.
PËRGJONI – Burime të “Panorama Sport” pohojnë se një dëshirë në këtë merkato është edhe ai i kapitenit të Tiranës, Florjan Përgjoni. 27-vjeçari është një lojtar i lirë, ndaj edhe nuk është e vështirë për të shkuar tek ai, duke mos qenë nevojë për të folur më herët me ekipin e Tiranës në të cilin ai luan prej katër sezonesh. Përgjoni është ndër më të mirët në rolin e tij në të majtë të mbrojtjes dhe ndodhet në kulmin e karrierës së tij futbollistike.
Në fakt, verdheblutë patën shfaqur interes për të edhe gjatë vitit të kaluar, por pa ia dalë dot ta afrojnë në skuadër. Duket se këtë herë mund të jenë pjekur kushtet, edhe pse përpara kanë një konkurencë të egër për të marrë shërbimet e tij. Nëse në fund do të mbërrinte në Elbasan, do të duhej të luftonte për një vend titullari me Emiljano Mustën, me këtë të fundit që ka qenë një nga më të mirët për Elbasanin e këtij viti që lamë pas. Mirëpo, nga ana tjetër verdhebluve do i duhet të përballen me konkurrencën e fortë të Egnatias, e cila gjithashtu ka shfaqur interes për të marrë shërbimet e lezhjanit.
TË TJERËT – Deri më tani, ajo që dihet është se verdheblutë kërkojnë afrime në të gjitha repartet dhe përforcimet pritet të nisin nga mbrojtja. Fillimisht janë tre emra që pëlqehen, si Selmani, Alia dhe Tafas, për të cilët ka admirues në Elbasan, por nuk përjashtohen as të tjerë që mund të dalin në skenë më pas. Njëkohësisht, verdheblutë kërkojnë edhe një mesfushor edhe sulmues, për t’u quajtur përfundimisht edhe si të kompletuar. Mbetet për t’u parë sesa do t’ia arrijnë që të konkretizojnë dëshirat e tyre në merkato, në një kohë që edhe konkurrenca për të afruar lojtarë do të jetë e madhe. Gjithsesi, në Elbasan janë të bindur se do të arrijnë që të formojnë një ekip konkurrues këtë sezon, edhe për faktin se tani kanë edhe më shumë eksperiencë mbi supe.
V. MEMA-PANORAMASPORT.AL