Në prag të sezonit të dimrit, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi së bashku me Drejtorin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako kërkuan bashkëpunimin e ngushtë të drejtuesve të pushtetit vendor për të marrë të gjitha masat për përballimin e pasojave që mund të sjellin reshjet e shiut. Gjatë një takimi me kryebashkiakët e vendit, si dhe me prefektët e 12 qarqeve, Ministri i Mbrojtjes vuri në dukje faktin se tashmë Shqipëria ka hyrë në zonën e riskut të lartë, në bazë edhe të raportit vjetor të riskut botëror
Ne tani jemi në sezon dhe do përqendrohemi më tepër te menaxhimi i pasojave, sepse nuk është se kemi kohë sot të flasim për shkakun, për parandalimin e përmbytjeve, por gjithsesi investimet edhe puna e përbashkët për të reduktuar riskun më afatgjatë përmes investimeve dhe punës së koordinuar duhet të jetë një paralele që duhet të na shoqërojë vazhdimisht. Sistemi i ringritur ose i rishikuar sot për sot është një Agjenci Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila funksionon nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes që është autoriteti që koordinon të gjitha forcat, të gjitha institucionet që kanë një rol për të luajtur në përballimin e emergjencave.
Ndërsa shprehu falenderime për punën e kryer gjatë periudhës së verës me zjarret, por edhe në rastet e përmbytjeve, Peleshi vuri theksin në një koordinim më të mirë mes bashkive dhe institucioneve qendrore.
Ajo që nuk duhet të ndodhë në të ardhmen është që një bashki e caktuar duke menduar që sado të agravohet një emergjencë do të vinë ata të emergjencës së Tiranës, do futet ushtria e do ta zgjidhë punën dhe të flejë gjumë, kjo nuk na bën mirë as juve jo e jo që jeni përgjegjës për të kontrolluar dhe mbrojtur komunitetet tuaja, por edhe ne pastaj na bëhet shumë e vështirë të neutralizojmë një emergjencë. Duhet të kemi një reagim të hershëm, duke vënë funksion edhe komunitetin, i cili duhet të ndërgjegjësohet për të lajmëruar në mënyrë që të parandalojmë sa më shpejt emergjencën, në rast se kjo nuk ndodh pastaj përmasa mund të jetë aq e madhe saqë edhe gjithë FA, të gjitha mjetet tona apo të institucioneve të tjera mund të mos mjaftojnë.
Ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se qeveria ka menduar një mbështetje financiare mbi 20 milionë dollarë për emergjencat civile.
Ne kemi këtë vit rreth 2,1 miliardë pra më shumë se 20 milionë dollarë buxhet për EC, e cila do të ndahet pak a shumë në mes, pra 1,1 miliardë do të thotë 11 mln dollarë do të jetë si transfertë e kushtëzuar për bashkitë, 600 mln do të transferohen në buxhetet tuaja nga Ministria e Financave përmes Ministrisë së Mbrojtjes.