Pas Telushit largohen edhe dy të tjerë, Kasa tregon objektivin për 2024: Elbasani do katërshen

Elbasani do të besojë deri në fund tek arritja e “Final 4”, një objektiv i vënë që në fillim nga ana e drejtuesve verdheblu. Për këtë arsye do të nisin edhe përforcimin e skuadrës në merkaton e janarit, edhe pse për momentin janë duke menduar më shumë që të zgjidhin me marrëveshje kontratat me lojtarët që nuk kanë pasur shumë hapësira këtë pjesë të parë të sezonit.

Pas Bruno Telushit, mësohet se edhe të paktën dy të tjerë janë gati që të shtegtojnë diku tjetër. Bëhet fjalë për Bedri Grecën dhe Rei Zaimin, të cilët nuk kanë luajtur shumë. Për momentin në klub nuk e konfirmojnë zyrtarisht, por gazeta mëson se dy lojtarët kanë ndërprerë bashkëpunimin dhe në orët në vijim pritet që gjithçka të bëhet publike. Të dy futbollistët nga dita e djeshme janë shndërruar në opsione për klubet e tjera.

MESFUSHORI – Fitorja e fundit në Korçë riktheu optimizmin në kampin verdheblu, duke bërë që të mos ndjejnë më për momentin rrezikun nga poshtë dhe njëkohësisht të mbajnë gjallë shpresat për të synuar katërshen. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” mesfushori Arsen Kasa pohon se trepikëshi në Korçë është një tregues se skuadra ka potencial për të bërë mirë.

“Nuk është asnjëherë e lehtë të fitosh në Korçë, por ne treguam se kemi potencial në skuadër. E kishim vlerësuar maksimalisht si ndeshje, pasi dihej që i kishim detyrim tri pikët, sepse rivalët mbi ne po largoheshin. E rëndësishme është që i marrim pushimet pas një fitoreje që na mban moralin lart, sepse vinim pas ndeshjesh pozitive, por pa marrë dot maksimumin”, u shpreh fillimisht një nga titullarët e Elbasanit, i cili ka vuajtur shpesh herë nga dëmtimet këtë sezon.

Në vijim, 27-vjeçari ka besim tek shokët e skuadrës që të arrijnë objektivat e vëna nga klubi. “Ne e kemi të qartë që drejtuesit, ashtu si edhe ne duam që të jemi në katërshe. Nuk mund të them se ka presion për këtë pjesë, por normalisht ne hyjmë në çdo ndeshje për të fituar dhe nëse marrim pikët edhe objektivi arrihet. Kemi luajtur nga dy herë me të gjitha ekipet e kësaj kategorie dhe ndonëse herë i kemi marrë rezultatet dhe herë jo, diferencat nuk janë të mëdha. Në tërësi ndeshjet i kemi pasur të mira, por na kanë munguar disa pikë. Megjithatë, janë edhe dy faza për t’u luajtur dhe i kemi të gjitha mundësitë të rikuperojmë rrugës dhe në fund të arrijmë objektivat që të gjithë i duan në qytetin e Elbasanit”, mbylli prononcimin e tij për gazetën autori i dy golave këtë edicion.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL