Pas 11 ditësh bllokimi të plotë, është rikthyer qarkullimi në segmentin e “Arrave të Gurrës” në Dragostunjë, duke i dhënë fund një situate të vështirë që paralizoi një nga arteriet më të rëndësishme kombëtare.
Menjëherë pas hapjes së rrugës, në zonë është shënuar një fluks i jashtëzakonshëm automjetesh, me radhë të gjata mjetesh që prisnin prej ditësh rikthimin e lëvizjes në këtë aks strategjik që lidh Tiranën me juglindjen e vendit dhe me pikat kufitare.
Qindra drejtues mjetesh, transportues mallrash dhe qytetarë që udhëtonin drejt Librazhdit, Prrenjasit dhe më tej, iu rikthyen itinerarit të zakonshëm, ndërsa forcat në terren po menaxhojnë trafikun për të shmangur ngarkesën e tepërt në segmentin e sapo rihapur.
Bllokimi 11-ditor kishte krijuar devijime të gjata dhe kosto të shtuara për transportin, ndërsa rihapja e këtij segmenti konsiderohet një lehtësim i madh për qarkullimin dhe ekonominë lokale.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën dhe kufizimet e përkohshme të vendosura në zonë, pasi punimet për stabilizimin përfundimtar të segmentit do të vijojnë edhe në ditët në vijim.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.