Parkimi në Spitalin Rajonal të Elbasanit falas – një vendim në shërbim të qytetarëve

Drejtoresha e re e Spitalit Rajonal “Dr. Xhaferr Kongoli” në Elbasan, Zheni Bebi Gjergji, vetëm pesë ditë pas marrjes së detyrës, ka ndërmarrë një vendim që pritet të lehtësojë ndjeshëm aksesin e qytetarëve dhe familjarëve të pacientëve në ambientet e spitalit.

Nga dita e sotme, parkimi në ambientet e spitalit do të jetë falas pas orës 14:00.
Më parë, parkimi ishte me pagesë nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Me vendimin e ri, pagesa prej 100 lekësh për hyrje do të zbatohet vetëm deri në orën 14:00, ndërsa pas këtij orari hyrja dhe dalja do të jenë pa pagesë.

Ky ndryshim u mirëprit menjëherë nga qytetarët dhe vizitorët e spitalit, të cilët e cilësuan vendimin si një lehtësim konkret për familjet që vijnë për të vizituar të afërmit e tyre.

Drejtoresha e re e spitalit, Zheni Gjergji, e cila ka një eksperiencë të gjatë në fushën e mjekësisë dhe një kontribut të njohur publik si ish-deputete, theksoi se prioriteti i saj do të jetë përmirësimi i shërbimit ndaj pacientëve dhe krijimi i një ambienti më miqësor për qytetarët.

“Pavarësisht angazhimit tim të mëparshëm politik, unë kam qenë dhe mbetem mjeke. Profesioni im është thirrje, jo pozicion. Qëllimi im është që spitali i Elbasanit të jetë sa më afër njerëzve dhe nevojave të tyre,” – u shpreh Gjergji.

Vendimi për të bërë parkimin falas pas orës 14:00 shihet si një hap i parë drejt krijimit të një klime më bashkëpunuese dhe më të qasshme për të gjithë qytetarët që frekuentojnë Spitalin Rajonal të Elbasanit.