Në Ditën Ndërkombëtare për Reduktimin e Riskut nga Fatkeqësitë, në kuadër të fushatës “Mbrojtja Civile në Turne 2025”, së bashku me UNDP Albania dhe Bashkinë e Elbasanit zhvilluam aktivitetin ndërgjegjësues për rëndësinë e parandalimit, përgatitjes dhe reagimit të koordinuar ndaj rreziqeve natyrore dhe emergjencave.
Në aktivitet morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i AKMC-së, z. Haki Çako, Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, si dhe përfaqësues nga Prefektura e Qarkut Elbasan dhe institucione të tjera vendore.
Gjatë aktivitetit, u informuan dhe ndërgjegjësuan qytetarët mbi mënyrat e mbrojtjes, veprimet që duhen ndërmarrë në situata emergjente dhe rëndësinë e bashkëpunimit për ndërtimin e komuniteteve më të sigurta dhe më të qëndrueshme. Gjithashtu, qytetarët u njohën me pajisje të emergjencës, materiale ndërgjegjësuese, udhëzues praktikë dhe aktivitete ndërvepruese mbi mënyrat e reagimit në situata të rrezikut.
Më pas, u zhvillua një ndalesë në shkollën e mesme “Kostandin Kristoforidhi”, ku u organizua një simulim i një emergjence nga zjarri. Nxënësit, nën drejtimin e mësuesve dhe ekipeve të zjarrfikësve, shërbimit të urgjencës mjekësore dhe vullnetarëve të Kryqit të Kuq Shqiptar, demonstruan mënyrat e evakuimit dhe reagimit në raste emergjente, duke treguar rëndësinë e njohjes së procedurave të mbrojtjes dhe vetëndihmës.
Fushata “Mbrojtja Civile në Turne 2025” zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), me mbështetjen e UNDP në Shqipëri, në kuadër të projektit “RESEAL – Forcimi i Qëndrueshmërisë dhe Reagimit ndaj Emergjencave në Shqipëri”, të financuar nga Qeveria Suedeze (Sida), Qeveria Zviceriane (SECO) dhe bashkëfinancuar nga Qeveria e Portugalisë dhe Qeveria Shqiptare.
