Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Departamenti i Punës Sociale, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Sociale, Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, organizuan Konferencën e Tretë Ndërkombëtare “Arritjet dhe sfidat e punonjësit social në Shqiperi”.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Bashkisë Elbasan, Drejtorisë së Shërbimit Social pranë kësaj bashkie, përfaqësues të CARITAS-it e UNICEF-it në Shqipëri, si dhe një delegacion i projektit T@SK.
Në këtë konferencë u prezantuan mbi 120 punime shkencore si dhe u zhvillua një tryezë e rrumbullakët e dedikuar për shërbimet sociale në qytetin e Elbasanit.
Në fjalën e tij, Rektori i UE, prof. dr. Skender Topi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë vendas e të huaj. Gjithashtu falenderoi Bashkinë Elbasan, jo vetëm për bashkëpunimin e deritanishëm në projektin T@SK, por edhe për shumë iniciativa të përbashkëta që janë ndërmarrë me në fokus kulturën arsimdashëse elbasanase dhe traditën e këtij qyteti plot vlera e kulturë.