Pas disa javësh hetime intensive me metoda proaktive, Policia e Elbasanit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Transit”, duke goditur një rast të ushtrimit të prostitucionit në qytet.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Si rezultat i hetimeve, u konstatua se në dy apartamente në qytetin e Elbasanit ushtrohej prostitucion nga shtetase të huaja, të cilat siguronin klientët përmes faqeve të internetit. Në vijim të veprimeve procedurale, policia arrestoi në flagrancë tre shtetase kolumbiane: D. P., 20 vjeçe; D. M., 18 vjeçe dhe J. D., 34 vjeçe, të dyshuara për veprën penale “Prostitucioni”.
Po ashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasja M. J., 34 vjeçe, pronare e njërit prej apartamenteve ku zhvillohej aktiviteti i paligjshëm, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.
Gjatë kontrolleve në ambientet përkatëse, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash në valuta të ndryshme, të dyshuara si të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, si edhe telefona celularë dhe dokumente identifikimi.
Policia bën me dije se, në drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme ligjore
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.