Operacioni anti-drogë në Elbasan, sëmuret njëri nga të arrestuarit, dërgohet në spital

Një megaoperacion policor i drejtuar nga Prokuroria është kryer gjatë orëve të natës dhe mëngjesit të sotëm në të gjitha qytetet e qarkut të Elbasanit.  Njëri nga 30 personat e arrestuar është ndjerë keq gjatë qëndrimit në ambientet e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë Elbasan.

Identiteti i tij nuk dihet për momentin, por mësohet se i arrestuari në fjalë ka shfaqur shqetësime. Nuk dihet konkretisht se çfarë simptomash ka patur. Megjithatë, policia lajmëroi ambulancën për të shkuar në ambientet e drejtorisë. Prej andej u dërgua në spital nën shoqërinë e forcave policore.

Gjatë operacionit të sotëm në qarkun e Elbasanit, u arrestuan 30 persona nga 39 masa sigurie në total. Aksioni kishte të bënte me goditjen e shpërndarësve të drogës.  Mësohet se bëhet fjalë për shpërndarës të lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme, jo eksponentë të njohur të krimit në vend. Të akuzuarit vepronin të organizuar në grupe të vogla, por edhe vetëm. Ata shpërndanin lëndët narkotike pranë shkollave, lokaleve e më gjerë. Megaoperacioni erdhi pas një viti hetime dhe përgjime nga policia dhe prokuroria e Elbasanit. Po ashtu, policë të infiltruar kanë blerë drogë te disa prej të akuzuarve, gjatë periudhës së hetimeve.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar nga policia të paktën 3 armë zjarri kallashnikovë, pistoleta, dhe sasi të konsiderueshme drogërash të ndryshme.

Aksioni i befasishëm për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike është zhvilluar në qytetet Prrenjas, Librazhd, Gramsh, Peqin, Cerrik, Belsh dhe Elbasan.