Operacion i madh antidrogë në Elbasan, dhjetëra të arrestuar. Detaje

Një megaoperacion antidrogë është zhvilluar pak pas mesnatës në disa qytete të qarkut të Elbasanit, duke çuar në arrestimin e dhjetëra personave të përfshirë në veprimtari të paligjshme të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Deri më tani mësohet se gjatë operacionit, i cili është zhvilluar njëkohësisht në qytetet Prrenjas, Librazhd, Gramsh, Peqin, Cërrik, Belsh dhe Elbasan, janë shoqëruar rreth 40 persona.

Gazetari Fatos Salliu duke raportuar nga Elbasani për Klan News tha se: “Një operacion i madh është zhvilluar pas mesnate në 7 bashki të qarkut të Elbasanit. Është operacion antidrogë bazuar në një urdhër të lëshuar nga gjykata e Rrethit gjyqësor të Elbasanit dhe janë angazhuar dhjetëra forca policie të ardhura nga Tirana. Paraprakisht sipas të dhëave ende jo zyrtare mendohet se janë shoqëruar rreth 40 persona.”